Adriatik Llalla i shpëtoi vetingut por te Krimet e Rënda po hetohet për katër akuza

Adriatik Llalla nuk do kalojë në procesin e vetingut dhe në këmbim të kësaj ish-kryeprokurori i Përgjithshëm do të qëndrojë larg sistemit të drejtësisë për 15 vite. Vendimi u mor sot nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ishte vetë Llalla ai i cili kërkoi ndërprerjen e vetingut duke pranuar largimin nga sistemi ndërkohë që dy organet e reja të krijuara pas reformës në drejtësi i dhanë të drejtë këtij qëndrimi të tij.

Llalla ka një çështje të hapur e cila po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Në datën 15 mars, prokuroria e Durrësit njoftoi nisjen e hetimit penal ndaj Adriatik Llallës për katër akuza. “Më datë 15.03.2018 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës se Parë Durrës ka regjistruar procedimin penal nr 447 të regjistruar në ngarkim të shtetasit Adriatik Llalla për veprat penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurise, interesave private të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për për deklarim”, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga nenet 257/a, 179/a, 287 dhe 248 të Kodit Penal”, njoftoi aso kohe Prokuroria e Durrësit.

Por pas disa muajsh hetime nga prokuroria e Durrësit çështja kaloi për hetim te Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila po vijon ende hetimet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here