“Aman mos m’i merrni. Nuk dal më”/ Policia bashkiake injoron thirrjet e të moshuarës dhe i sekuestron perimet

Një gruaje të moshuar e cila kishte zgjedhur të mbante me bukë familjen e saj duke shitur fruta e perime të kopshtit të shtëpisë, në një cep të “Rrugës së Elbasanit”, i është sekuestruar malli nga policia bashkiake.

Në fotot e dërguara, një ditë më parë, nga një denoncuese në redaksinë Media e Re, shihet dëshpërimi i të  moshuarës, e cila përpiqet të shpëtojë mallin e saj nga policia bashkiake, por lutjet e saj kanë qenë të kota.

Sipas denoncueses e cila ka qenë një ditë më parë në vendngjarje, e moshuara iu lut që mos e sekuestronin mallin dhe se nuk do të dilte më të shiste në atë vend.

“Aman mos mi merrni. Aman. Nuk dal më”, mësohet të ketë thënë gruaja ndërsa përpiqej t’i merrte nga duart policit arkën me produketet.

Lutjet e nënës nuk u dëgjuan nga policia, ata vazhduan grumbullimin e mallit me aq shpejtësi sa dukej sikur kishin sekuestruar ndonjë sasi të madhe droge.

“Na u këput shpirti”, thotë denoncuesja që dërgoi fotot tek Media e Re. “Në fakt, kriminelët e vërtet shesin në zona të shtrenjta dhe kushte komode  dhe jo buzë rrugës duke sfiduar shiun dhe temperaturat e ftohta të dimrit”.

Policia bashkiake e zbatoi ligjin deri në fund, por ajo çfarë mbeti në fund ishte dëshpërimi i kësaj gruaje dhe ndoshta një vakt i munguar tek familja e saj.

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here