Atentati ndaj prokurorit Ndoji, arrestohet Redjan Rraja

Policia ka arrestuar shtetasin Redjan Rraja, i cili dyshohet se ka lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji, që tronditi vendin katër ditë më parë, ku mbetën të plagosur prokurori, shoferi i tij, Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahon, i njohur edhe si i “Rrumi” i Sukthit.

Arrestimi i tij është bërë pas një aksioni të gjerë nga policia, FNSH dhe RENEA, të nisur që prej ditës së atentatit, dhe që u shtri në disa qytete të ndryshme, si Krujë, Fushë-Krujë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan.

Atentati ndodhi pasditen e të premtes, te mbikalimi i Shkozetit, në Durrës, ku u qëllua me breshëri plumbash ndaj makinës, ku udhëtonte prokurori Ndoji me shoferin dhe “të fortin” e Shijakut, ku ky i fundit njihet edhe si një person me precedentë penalë.

Redjan Rraja është me profesion stomatolog  dhe ka klinikë dentare në Fushë Krujë, ndërsa jetonte mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Emri i Redjan Rrajes u lakua në dosjen e dhunimit të Xhisiela Malokut nga kushëriri i tij, Rexhep Rraja dhe i pranishëm në tavolinë me Elton Çiçon (burri i motrës) në Tiranë në 1 maj 2016 kur u ekzekutua te lokal “De Niro” në zonën e ish-Bllokut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here