Bëni testin dhe karantinohuni nëse keni dyshime, Meta: Nuk është turp të kesh Covid 19, turp është ta fshehësh

Fshehja  e sëmundjes për shkak të stigmatizimit  ka qenë edhe një  nga shkaqet e përhapjes së koronavirusit.

Presidenti Ilir Meta apeloi qytetarët që të mos kenë turp nga ky fakt por të kryejnë testimin apo të karantinohen nëse kanë dyshime se janë infektuar apo kanë pasur kontakte me persona të infektuar.

Meta: Dua të ftoj të gjithë qytetarët të jenë bashkëpunues në këtë proces, të mos ndihen fajtorë dhe të rrezikojnë duke mos bashkëpunuar për të bërë testin apo realizuar procesin e karantinimit për rastet e dyshuara për kontaktet. Nuk është turp të kesh COVID 19 por është turp të jesh i pakujdesshëm dhe t’ua transmetosh njerëzve të tjerë të familjes, miqve, fqinjëve e me radhë.

Duke folur nga Shkodra, vatra e dytë e zjarrit pas Tiranës, Meta tha se shpreson shumë te qytetaria shkodrane do të ngrihet në lastësinë e duhur, duke respektuar me rigorozitet këshillat dhe kufizimet e autoriteteve shëndetësore.

Meta: Jemi në rrugën e duhur të përmirësimit të situatës, shpresoj  duke filluar nga sot edhe në qarkun e Shkodrës që është qark mjaft i ekspozuar edhe për shkak të tre pikave të kalimit kufitar që vazhdojnë të jenë aktive për mjaft shërbime të ndryshme por edhe për arsye të tjera. Shpresoj dhe besoj shumë te qytetaria shkodrane dhe tek përgjegjshmëria e tyre dhe bashkëpunimi i tyre me autoritetet vendore.

Për tu njohur më nga afër me situatën e krijuar nga pandemia në qarkun e Shkodrës, Meta dhe dy këshilltarët e tij Petraq Milo dhe Tedi Blushi zhvilluan takime me prefektin e qarkut Çesk Midhja, drejtorin e Shëndetit Publik në këtë qark dhe kryebashkiaken Voltana Ademi.

Presidenti tha se janë të gjitha kapacitetet për të menaxhuar më së miri këtë pandemi nëse ekziston bashkëpunimi i duhur mes pushtetit vendor dhe qëndror.

 

Ora News

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here