“Facebook do bëjë gjithçka për të mbrojtur përdoruesit”

Pas heshtjes mbi publikimin e skandalit të Facebook dhe “Cambridge Analytica” me të dhënat e rreth 50 milionë njerëzve që përdorin rrjetin social, themeluesi i platformës Mark Zuckenberg ka pranuar se ka gabuar.

 “Unë e themelova Facebook dhe sigurisht që në fund të fundit jam unë përgjegjës për atë që ndodh në platformën tonë. Dua t’iu siguroj se jam i ndërgjegjshëm kur them se do të ndërmarr çfarë nevojitet për të mbrojtur komunitetin tonë”, tha Zuckenberg.

 Në reagimin e tij me anë të një postimi të gjatë në Facebook, Zuckenberg shkruan se të dhënat e përdoruesve janë përdorur nga persona që kanë punuar më parë me Facebook, duke shtuar se ndaj tyre kanë nisur hetime serioze. Për “Cambridge Analytica”, ai njofton se ka ndërprerë të gjitha shërbimet dhe pranon se do të bashkëpunojë me hetuesit mbi skandalin e të dhënave.

 

Dua të ndaj me ju reagimin mbi situatën rreth asaj që është zbuluar në skandalin e ‘Cambridge Analytica’-s, përfshirë edhe hapat që kemi ndërmarrë dhe ato që pritet të marrim për të adresuar këtë çështje të rëndësishme. Lajmi i mirë është se veprimet më të rëndësishme për të parandaluar ripërtëritjen e kësaj gjëje, ne i kemi ndërmarrë vite më parë. Por, sigurisht që kemi bërë edhe disa gabime, ndaj kemi shumë për të bërë dhe duhet të përshkallëzojmë veprimet tona”, theksoi ai.

Zuckenberg premton edhe disa hapa të tjera që Facebook duhet të ndërmarrë, duke hetuar të gjitha aplikacionet që kanë shfrytëzuar sasi të mëdha informacioni nga rrjeti social.

 

Kompania konsulente Cambridge Analytica është akuzuar për përdorim të paautorizuar të të dhënave në emër të klientëve politikë, lidhur me zgjedhjet presidenciale të 2016-tës në SHBA, për të cilën Zuckenberg shprehet se kompania në fjalë ka “shkelur besimin”.

Chris Wylie njeriu që hodhi dritë mbi skandalin ngriti dyshime mbi ish-kryestrategun e Donald Trump, Steve Bannon, i cili vetëm 3 vjet para marrjes së detyrës u angazhua për krijimin e profileve të detajuara të miliona zgjedhësve amerikanë. Por Cambridge Analytica mohon çdo akuzë.

Autoritetet i bëjnë thirrje themeluesit të facebook të dëshmojë para kongresit, ndërsa në një intervistë për mediat amerikane Zuckenberg u shpreh se është “i lumtur” që do të dëshmojë “nëse është gjëja e duhur që duhet të bëjë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here