Gjermania dënon dhunën, Roth: E papranueshme, mbështësim perspektivën europiane të Shqipërisë

Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth, ka dënuar dhunën që është shfaqur në protestat përpara kryeministrisë dhe Parlamentit.

Reagimi i tij ka ardhur pas takimit që pati me Ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ku ka adresuar edhe një mesazh për opozitën.

“Jam shumë i shqetësuar nga dhuna e përdorur në protestën e fundit të opozitës . Një mesazh shumë i qartë për opozitën: Dhuna nuk është aspak e pranueshme. Ndërkohë ne vazhdojmë të mbështësim perspektivën europiane të Shqipërisë”.

Ndërkohë, zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme bën me dije se në takimin mes Cakajt dhe Roth, ky i fundit ka vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria drejt integrimit europian, duke shprehur mbështetje në hapjen e negociatave.

Ministri gjerman vlerësoi ritmin e reformave dhe inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me punën e mirë që është bërë.

“Shqipëria ka avancuar shumë në rrugën e integrimit dhe meriton hapjen e negociatave”, u shpreh Ministri Roth.

Ministrat vlerësuan se vendimi për hapjen e negociatave është i rëndësisë strategjike jo vetëm për të shtuar ndërlidhjen institucionale, por edhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi dhe se Procesi i Berlinit duhet parë si instrument i integrimit evropian.

Ndërkohë, vendimi për çeljen e negociatave do të merret në bazë të raportit të Komisionit Europian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here