Gjykata Kushtetuese nga shpërbërja drejt ringritjes

Gjykata Kushtetuese ka filluar veprimtarinë e saj më 1 qershor 1992, e krijuar me anë të ligjit kushtetues nr. 7561, datë 29 prill 1992 “Mbi një shtesë në ligjin 7491 datë 29.04.1991 Për dispozitat kryesore kushtetuese”. Anëtarët e parë të Gjykatës Kushtetuese kanë qenë Manol Konomi, Feti Gjilani, Hilmi Dakli, Rustem Gjata, Franc Jakova, Veli Budo, Thimjo Kondi, Natasha Sheshi, Ylvi Myrtja. Kryetar i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh Rustem Gjata për një periudhë 3-vjeçare, mandat i cili u përsërit në vitin 1995.

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese, institucioni më i lartë i sistemit të drejtësisë në vend zyrtarisht është në kolaps si pasojë e procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë. Kalimi në sitën e vettingut i trupës së gjyqtarëve të kësaj gjykate që nga muaj mars i vitit 2018 solli shkërmoqjen e këtij organi duke mbetur me vetëm një gjyqtar, Vitore Tushën. Për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 1992 kjo gjykatë prej muajsh nuk merr asnjë vendim.

Si nisi shpërbërja e Gjykatës Kushtetuese?

Funksionaliteti i plotë me 9 anëtarë i gjykatës Kushtetuese ka qenë deri në vitin 2015 kur dhe janë marrë vendimet konform ligjit me shumicën e gjyqtarëve.

Në korrik të vitit 2017 erdhi largimi i gjyqtarit të parë nga kjo gjykatë.

Gjyqtari Vladimir Kristo, mandati i të cilit kishte përfunduar që në muajin prill të vitit 2016, qëndroi në detyrë, në pritje të një zëvendësuesi deri në korrik të vitit 2017, kohë kur ai njoftoi tërheqjen nga detyra duke i shpëtuar kështu procesit të vettingut. Po në këtë vit anëtari tjetër i gjykatës Kushtetuese Sokol Berberi vendosi të tërhiqej nga detyra pasi i kishte mbaruar mandati që në vitin 2016. Largimi i Berberit e uli në shtatë numrin e anëtarëve efektivë të Gjykatës Kushtetuese. Këto dy dorëheqje u pasuan edhe me një tjetër largim nga detyra. Gjyqtari Besnik Imeraj, i emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2013, dha dorëheqjen në janar të vitit 2018 për arsye personale dhe shëndetësore, duke lënë këtë gjykatë me 6 anëtarë.

Shkarkimet

Gjyqtari Fatos Lulo, një nga 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ishte i pari që u shkarkua nga detyra në mars të vitit 2018 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Vendimi në fjalë u mor me arsyetimin se Lulo nuk e justifikonte pasurinë e tij, një shifër prej gjysmë milioni dollarë. 

###

Pas një karriere prej afro 40 vitesh në sistemin e drejtësisë shqiptare, anëtari i Kushtueses, Gani Dizdari nuk u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke u paralizuar nga  dy komponentë siç është pasuria dhe pastërtia e figurës.

###

Në 13 qershor të vitit 2018 ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Komisioneri Publik vendosi ta ankimojë vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.  Mosjutifikimi i dy apartamenteve (një në Tiranë dhe një në Golem) solli shkarkimin e tij nga detyra.

###

Në muajin shtator të vitit të kaluar Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin Fatmir Hoxha. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi probleme në pasurinë e gjyqtarit, konkretisht për blerjen e një apartamenti 2+1 në Tiranë dhe arredimin e saj me vlerë 140.450 euro, për të cilën i ishte marrë borxh kunatit një shumë prej 28 mijë eurosh.

###

Gjatë shqyrtimit të dosjes së anëtares së Kushtetueses Altina Xhoxhaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mospërputhje në deklarim të burimin e parave, vendime në konflikt interesi, mbajtjen e një sasie të madhe cash, mungesë të ardhurash për blerjen e një apartamenti 109 m2 në vitin 2005 si dhe probleme me një truall në Gjirin e Lalzit.  Këto arsye sollën shkarkimin e gjyqtares Xhoxhaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në muajin tetor të 2018.

E vetmja gjyqtare – Vitore Tusha

Në datë 5 prill të vitit të kaluar, trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjykatësen e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, e cila ishte edhe gjyqtarja e parë që mori një vlerësim pozitiv nga procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Edhe në këtë situatë subjektet që përcaktohen sipas ligjit që kanë të drejtë t’i drejtohen kësaj gjykate, kanë ankimuar kërkesa të ndryshme. Ashtu siç është shprehur vetë pak kohë më parë për mediat, gjyqtarja Tusha aktualisht është gjyqtare relatorë e çështjes.

“Në përputhje me kompetencat që ka Gjykata Kushtetuese, të përcaktuara kryesisht në nenin 131 të Kushtetutës, subjektet që legjitimohen, vazhdojnë t’i drejtohen kësaj gjykate. Kërkesat e ardhura i kalojnë automatikisht gjyqtarit relator që është në detyrë, dhe gjyqtari relator bashkëpunon në këtë proces me këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilltarët për secilën çështje përgatisin opinionet ligjore duke ju referuar kërkimeve shkencore që ka nevojë çështja konkrete. Më tej këtë relacion ja paraqesin gjyqtarit relator. Gjyqtari relator e përgatit çështjen, por nuk vazhdon më tej me relatimin në kolegj, sepse duhet të relatohet në një kolegj prej 3 gjyqtarësh. Sa kohë nuk formohet kolegji, nuk vazhdohet më tej me hapat procedural të procesit konkret, në pritje të krijimit të kuorumit të domosdoshëm të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ajo.

Si plotësohen vakancat?

Kushtetuta parashikon që Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, nga të cilët tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë.

Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

“Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në Nenin 179, pika 2 të Kushtetutës.

Lista e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi publikoi në muajin shtator rezultatin e pikëzimit për kandidatët në Gjykatën Kushtetuese.

Më e vlerësuara është Arta Vorpsi me 89.610 Pikë e ndjekur nga Besnik Muçi me 81.926 Pikë, Elsa Toska 85.425 Pikë, Fiona Papajorgji 88.783 Pikë, Marsida Xhaferllari 81.999 Pikë dhe Regleta Panajoti 80.284 Pikë.

Ndërkohë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, sipas njoftimit zyrtar do të shqyrtohen dhe miratohen: Lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për secilin vend vakant në Gjykatën Kushtetuese; dhe Raporti i arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për secilin vend vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Plotësimi

Në datën 16 Tetor Presidenti Meta emëroi prokurorin Besnik Muçi, gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, i cili ishte renditur i treti nga katër kandidatë të renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Muçi arrit të kalojë shkallën e parë të vetingut në vitin 2018 me një “vlerësim minimal në aftësi profesionale“, ndërsa vendimi i konfirmimit në detyrë është apeluar dhe po shqyrtohet aktualisht nga Kolegji i Pavarur i Apelimit, për pamjaftueshmëri në kriterin e pasurisë.

Ndërkohë që në datën 18 tetor Muçi bëri betimin në Presidencë për detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, duke qenë kështu i pari anëtar i saj.

3 kandidatët e tjerë për këtë Gjykatë Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji si dhe Elsa Toska zhvilluan një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve në Kuvend.

“Përbërja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese përtërihet rregullisht çdo 3 vjet, me një
të tretën e saj. Në rast të përfundimit të mandatit të gjyqtarit para afatit, zgjedhja e gjyqtarit të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar, ndjek radhën e parashikuar për zëvendësimin e tij, sipas nenit 7, pika 2, të këtij ligji.”, thuhet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Shumë shpejt Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale, por për të realizuar seanca gjykimi kërkohen të paktën 6 anëtarë.

Bilanci

124 çështje presin për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk merr vendime që në shkurt të vitit 2018, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut. Sipas të dhënave aktuale në faqen e  zyrtare të gjykatës Kushtetuese vendin më të madh e zënë kërkesat për proces të rregullt ligjor, por edhe të tjera në kuadër të kontrollit incidental, për shfuqizim ligjesh dhe aktesh normative siç janë vendime të Këshillit të ministrave dhe ligji për pronat, për financat e qeverisjes vendore.

Si dy nga çështjet e bujshme në lidhje me zhvillimet e fundit politike që duhet të marrin interpretimin e Kushtetuese është kërkesa e subjektit politik Partia Socialiste për shkarkimin e presidenit  te vendit Ilir Metës dhe kërkesa e Shoqatës së Kryebashkiakëve të Shqipërisë me kryetare Voltana Ademi për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit. Mosfunksionimi i kësaj gjykate nuk bën gjë tjetër veçse shton volumin e dosjeve që ky organ do të duhet të vendosë kur të plotësohet me anëtarët e rinj.

-83 kërkesa për proces të parregullt (nga të cilat 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të KLD dhe 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të KPA);

-23 kërkesa për kundërshtim të ligjeve (në një kërkesë nga të cilat kundërshtohet dhe VKM);

-1 kërkesë paraqitur për zgjidhje mosmarrëveshjeje të kompetencës;

-8 kërkesa të paraqitura për kundërshtim VKM (nga të cilat 4 paraqitur nga individë);

-7 kërkesa të paraqitura për konstatim cenimi (mosekzekutim vendimesh ose mosgjykim brenda afatit të arsyeshëm);

-1 kërkesë e sjellë nga individ për interpretim të ligjeve;

-1 kërkesë për interpretim vendimi të GJK. 

Subjektet që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese

Neni 49 i ligji t “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” parashikon:

1. Të drejtën për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për pajtueshmërinë e ligjit ose të
akteve të tjera normative me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare e kanë:
Presidenti i Republikës, Kryeministri, jo më pak se një e pesta e deputetëve dhe Avokati i
Popullit.
2. Të drejtën për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për kontrollin vetëm të
respektimit të procedurës së parashikuar nga Kushtetuta, sipas nenit 131, pika 2, dhe nenit
177, të Kushtetutës, e kanë Presidenti i Republikës dhe jo më pak se një e pesta e deputetëve.
3. Të drejtën për të filluar një kontroll mbi pajtueshmërinë e ligjit ose akteve të tjera
normative me Kushtetutën ose marrëveshjet ndërkombëtare e kanë edhe:
a) Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit;
b) organet e qeverisjes vendore, kur pretendojnë se u janë cenuar të drejtat e tyre të
parashikuara në Kushtetutë ose pozita e tyre kushtetuese;
c) komisionerët e krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, kur gjatë
veprimtarisë së tyre konstatojnë se ligji ose akti normativ cenon të drejtat dhe liritë themelore të individëve;
ç) Këshilli i Lartë Gjyqësor ose Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kur pretendojnë se ligji ose
akti normativ cenon veprimtarinë kushtetuese të tyre ose pozitën juridike të gjyqtarëve dhe të prokurorëve;
d) organet e bashkësive fetare, partitë politike, organizatat, kur pretendojnë se ligji ose
akti normativ cenon veprimtarinë e tyre dhe të drejtat dhe liritë e anëtarëve të tyre;
dh) gjykatat e të gjitha niveleve, kur gjatë gjykimit të një çështjeje konstatojnë se ligji ose
akti normativ bie ndesh me Kushtetutën ose marrëveshjet ndërkombëtare;
e) individët, kur pretendojnë se u cenohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe reale të drejtat
dhe liritë e tyre të parashikuara në Kushtetutë, pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike
për këtë qëllim, si dhe kur akti që kundërshtojnë është drejtpërdrejt i zbatueshëm dhe nuk
parashikon nxjerrjen e akteve nënligjore për zbatimin e tij.
4. Subjektet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, kanë detyrimin të provojnë në çdo
rast se çështja lidhet drejtpërdrejt me të drejtat dhe liritë e parashikuara nga Kushtetuta ose me qëllimet e veprimtarisë së tyre.”. /Artemisa Hoxha

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here