I pari ishte….libri

Nga Aurora Bega/

Lajmi për përmbytjen e librave në Bibliotekën Kombëtare më gjeti fare të papërgatitur, ndaj dhe shumë të shokuar. Në fakt isha, fill mu tek dera për të çuar një vërtetim që më lejonte të tërhiqja ndonjë libër studimor dhe punoja me shtypin e shkruar të viteve ’90. Qysh prej rënies së zjarrit vjet në mars, rregullat janë shtrënguar shumë dhe puna me librat është vështirësuar.

Njoftimi i ftohtë mbi derën e xhamit të bibliotekës më la pak të paqartë me situatën në fillim, por fotot e librave të shpërndara mjerisht mes kartëpecetave dhe tharseve të flokëve, më lanë një shije shumë të hidhur…nuk e di, trishtim ta quaj, ose ndoshta fjala e saktë për ta shprehur është ligështim. Kështu thoshte gjyshja ime kur merrte vesh për vdekjen e ndokujt që njihte: ‘’U moj çupë, sa u ligështova!’’. Bash, kështu edhe unë e gjithë shqiptarët u ligështuam shumë nga lajmi i keq, që në këtë rast as për mediat nuk ishte lajm i mirë.

Personalisht, i detyrohem shumë Bibliotekës Kombëtare që në të gjitha vitet e mija si studente, por edhe më pas ka qenë burim i rëndësishëm librash, revistash e gazetash gjithfarësojësh. Në fakt, që të jem plotësisht e sinqertë, le të themi ka qenë, sepse dy vitet e fundit nuk po e kryen më funksionin e saj. Sigurisht ajo nuk është Biblioteka e Aleksandrisë apo Biblioteka Kombëtare e Francës, por gjithsesi mbetet një bibliotekë. E bibliotekat janë një pasuri e rrallë kulturore që duhen respektuar e mbrojtur fort. Madje, duket se për nga lloji ato ua kalojnë edhe objekteve të tjera të trashgimisë kulturore sepse libri seç mbart diçka mistike në vetvete. A nuk zgjodhi Zoti t’jua përçoj njerëzve fjalën e Tij me anë të një libri? Me anë të Teuratit, me anë të Zeburit, me anë të Ungjillit dhe në fund me Kur’anin? Pra, libri vetë është një bekim, të cilin ne e kemi nënçmuar dy herë brenda një viti.

Në ditët që po jetojmë jemi mësuar të kalojmë në heshtje përplasje gladiatorësh në parlament, diskurse rruge në media, akuza e kundërakuza vjedhjesh, taksa që rriten çdo vit e një jetesë që shkon tëposhtë në mjerim dita-ditës. I shohim, i pranojmë , e nuk bëzajmë. Por tani, jo më. Kjo papërgjegjshmëri është e patolerueshme. Libri ishte goditja e fundit që mund të durojë një popull me dinjitet sepse dy shkatërrime të librit brenda një viti janë një ogur i keq për të gjithë ne, sikundër thoshte shkrimtari gjerman Heinrich Heine ‘’Atje ku digjen librat, në fund do të digjen edhe njerëzit!’’. Prandaj, koha është tani të lëvizim. Të shtunën të bashkohemi së bashku në orën 11.00 përpara Bibliotekës Kombëtare për dijen, për kulturën, për dinjitetin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here