Ish-truproja zbulon bisedën e bukur të mbretëreshës Elizabeth me turistët që nuk e njohën

Mbretëresha Elisabeth mund të duket shumë serioze, por në fakt ka edhe ajo anën e saj gazmore. Mbi të gjitha, ajo është një njeri normal kur nuk është në takime zyrtare apo kur del shëtitje dhe përzihet me njerëzit. Megjithatë, rrallëherë e kemi parë atë të veshur ‘casual’ dhe jashtë takimeve formale.

Së fundmi, ish-truproja i saj, oficeri Richard Griffin ka ndarë publikisht një episod që ka ndodhur gjatë punës së tij me mbretëreshën. Teksa kishte dalë shëtitje pranë kështjellës Balmoral, e shoqëruar nga Griffin, ajo takoi një grup turistësh amerikanë, të cilët nuk e njohën. Në fakt, nuk u vëmë faj turistëve duke qenë se ajo mbante një shall me kuadrata në kokë dhe nuk kishte veshur ndonjë nga kostumet e saj seriozë.

Të pandërgjegjshëm se kush ishte, ata filluan të bisedonin me mbretëreshën dhe e pyetën nëse e kishte shtëpinë aty pranë. Teksa mbretëresha pohoi, turistët u interesuan më shumë duke pyetur nëse kishte pasur mundësinë të takonte ndonjëherë nga afër Mbretëreshën Elisabeth.

“Unë jo, por ai po”, -u përgjigj mbretëresha me shaka duke u drejtuar nga oficeri Griffin.

Griffin, i cili ka punuar 30 vite për mbretëreshën ka treguar se turistët u larguan pas bisedës së shkurtër pa e kuptuar me kë kishin folur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here