Ja pse Musine Kokalari duhet radhitur mes simboleve te feminizmit si Simone de Beauvoir dhe Virginia Woolf  

Nga Aurora Bega/

Kur novelistja e famshme, Virginia Woolf botonte në Anglinë e viteve 1929 ‘‘Një dhomë më vete’’, si një volum esesh që shfaqnin hapur shqetësimin e saj feminist se së pari,  gratë duhet të kenë pavarësi ekonomike nëse duhet të ndihen të barabarta me burrat, dhe ndërkohë që një tjetër feministe si Simone de Beauvoir kishte hapur dyert e dhomës së gjumit në një lidhje të hapur me filozofin Jean-Paul Sartre, në një vend të vogël dhe të varfër të Ballkanit një vajzë  e re do të botonte librin ‘‘Seç më thotë nëna plakë’’ duke u bërë kështu edhe  shkrimtarja e parë grua në Shqipëri.

Kështu në një paralele të hequr mes Londrës, Parisit dhe Tiranës gjatë viteve ’30-’40 do ta radhisja Musine Kokalarin mes dy ikonave të feminizmit letrar në botë. Dikush mund të kete ngritur vetullat ndërkohë që e lexon këtë shkrim sepse ndoshta nuk gjen dot ndonjë pikëlidhje mes ekstravagancës seksuale të De Beauvoir dhe Woolf dhe figurës së Kokalarit. Dhe ne fakt asgjë të përbashkët nuk kanë në këtë pikë. Por feminizëm nuk do të thotë vetëm të shkruash për seksualitetin e  grave dhe të drejtat e tyre. Fjalori e përkufizon feminizmin si: ‘‘barazi politike, sociale dhe ekonomike të gjinive’. E në fakt, për arsyet që do të radhis më poshtë, Kokalari meriton të jetë figurë kyç e feminizmit shqiptar (në mos u tingëllon keq: figurë kyç e emancipimit të gruas shqiptare).

Së pari, atëherë kur asnjë grua tjetër nuk kishte mundur të botonte në Shqipëri, Musine Kokalari botoi  katër vepra letrare gjatë viteve 39-45, të cilat kanë edhe vlera shkencore përsa i përket leksiokologjisë. Nën kujdesin e saj doli dhe numri i parë i gazetës ‘‘Zëri i Lirisë’’ si dëshmi e fjalës së lirë, e  intelektualizmit dhe e zërit politik ndryshe. Nëse ajo nuk do ishte dënuar në vitin ’46, kushedi sa vepra të sajat do të kishim sot!

Së dyti, nëse termi ‘‘feminizëm’’ u dëgjua për herë të parë në Francë në vitin 1872 dhe në Britaninë e Madhe në 1890, dhe në mes të viteve ’40 de Beauvoir do t’i jepte zë lëvizjes së dytë feministe në Francë me botimin e vëllimit ‘‘Seksi i dytë’’, në Shqipërinë e rregjimit të egër komunist, ku njerëzit kishin drojë edhe të mendonin ndryshe nga ideologjia e partisë, Musine Kokalari guxoi dhe themeloi një parti opozitare. Ajo guxoi të themelojë një parti me program demokratik duke dëshmuar se opozita është kusht themelor për mbarëvajtjen politike të një vendi dhe ndoshta pa  e pasur qëllim në vetvete ajo na tregoi se një grua mund të themelojë dhe drejtojë një parti politike siç burrat kishin bërë gjer atëherë.

Së fundi, ndryshe nga shumë burra të arrestuar më të, apologjia e saj gjatë seancës gjyqësore vlen të gdhendet më shkronja të arta për të rrëfyer sesi një grua, një vajzë 28-vjeçare arriti të sfidojë një nga rregjimet më egër diktatorial, pa kërkuar falje për faje që s’kish kryer, pa kërkuar mëshirë ndaj torturave çnjerëzore, pa u përkulur para premtimeve për falje, por duke qëndruar deri në momentet e fundit të jetës dinjitoze, intelektuale dhe e paepur.

Musine Kokalari është dëshmi e gjallë se, siç Franca dhe Anglia krenohen me figurat e grave që sollën dhe i dhanë zë feminizmit në botë, ne mund të krenohemi se  gurin e parë të feminizmit modern në Shqipëri ne e kemi vendosur në vitin 1939 me botimin ‘‘Seç më thotë nëna plakë’’.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here