Kryeprokurori/ Basha nga Londra: Nëse Rama e zgjedh me votat e tij, është fundi i shtetit ligjor

Gjatë vizitës së tij në Londër, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka organizuar një takim me komunitetin shqiptar të Londrës.

Në qendër të bashkëbisedimit ishte aktualiteti në Shqipëri, konkretisht u përfol për çështjen e kryeprokurorit dhe krimin e organizuar.

Lidhur me çështjen e kryeprokurorit, Basha e krahasoi vendimin e Edi Ramës për ta marrë nën kontroll drejtësinë me pushtetin absolut të mbretit, duke qenë vetë kryeministër, vetë gjyqtar, vetë xhelat.

Basha theksoi se opozita nuk do të pranojë kurrë që Edi Rama ta kthejë Shqipërinë në të njëjtën gjendje, ku një njeri i vetëm kontrollon me dorë të hekurt Parlamentin, Qeverinë dhe Drejtësinë.

“Ky është fundi i reformës në drejtësi dhe ky është hapi vendimtar i rrëshkitjes së vendit në diktaturë. Nëse në datë 18 dhjetor Edi Rama zgjedh me votat e tij kryeprokurorin, ky është fundi i shtetit ligjor, fundi i demokracisë dhe opozitës i lind detyra të japë përgjigjen e merituar”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha se e vetmja rrugë për një drejtësi të reformuar kalon përmes zbatimit të Kushtetutës siç u miratua në 22 Korrik 2016.

Gjithashtu kreu i opozitës diskutoi për demokratizimin e mëtejshëm të PD-së, në mënyrë që të tërheqë pranë vetes intelektualët dhe këdo që beson tek vlerat.

“Një prej këtyre vlerave është demokracia-tha Basha. Në Degën e PD-së Londër zbatohet parimi një anëtar një votë. Këtë formë duhet ta kemi në të gjithë PD-në”.

Basha përfshiu këtu edhe zgjedhjen e deputetëve demokratë. “Pavarësisht rrethanave të zgjedhjeve të këtij viti, e kam thënë që deputetët e ardhshëm të Partisë Demokratike do të vijnë sipas parimit një anëtar një votë”, tha Basha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here