Ku ta gjejmë guximin? S’kemi.

Nga Aurora Bega/

Nuk e di se ku janë frymëzuar historitë e legjendat që i cilësojnë shqiptarët si trima sypatrembur e luftëtarë të pashoqë. Mos duhet ta rishohim edhe njëhëre me gjakftohtësi aforizmën: ‘‘Feja  e shqiptarit është shqiptaria!’’ si një reflektim mbi kohët ku po jetojmë?!

Nuk mund të matet aftësia vepruese e një populli në kushte lufte e pushtimi. Çdo popull kundërvepron. Në rrethana të jashtëzakonshme, reagimi është i domosdoshëm. E lufton tjetrin se të djeg shtëpinë, se të grabit gjënë e gjallë, të vras se e di që do të më vrasësh, të sulmojë se mbrojtja më e mirë është sulmi. Por guximi nuk është thjesht vetia e një njeriu trim që përballet frontalisht me rrezikun. Guximi është cilësi e spikatur e njerëzve me ndërgjegje të lartë morale e qytetare që reagojnë edhe në rrethana të përditshme, kur kuptojnë se po cënohet integriteti i tyre dhe i vendit ku jetojnë.

Ka tri ditë që mediat përcjellin informacionin se do ngrihen dy hidrocentrale mbi kanionet e lumit Osum, ka kohë që Shqipërisë po i shtohen dhe HEC-e mbi lumenjtë e bukur që Zoti pati mirësinë ta bekonte, ka gjithashtu shumë kohë që shqiptarët ‘‘flenë’’ në gjumë letargjik e zgjohen ndonjëherë kur partitë u lëshojnë ultimatumin të paraqiten në tufë në bulevard.

Përveç disa grupimeve të vogla njerëzish (që meritojnë të quhen qytetarë të parë të vendit) e që i sheh kudo në protestë sa në Valbonë e në Kalivaç, sa tek liqeni kur priten pemë e sa në Bulqizë ku vriten njerëz, asnjë zë nuk pipëtin. Ka vdekur reagimi qytetar. U vranë 26 persona në shpërthimin e Gërdecit dhe ne u mjaftuam duke thënë: ‘‘Gjynah të shkretët, po sa mirë që s’ndodhi pranë shtëpisë tonë!’’. U vranë 4 njerëz në mes të  ditës në mes të bulevardit dhe ne i harruam shpejt. Ndërtohen HEC-et si kërpudha pas shiut e ne se bëjmë qejfin qeder hiç. Gërryhen lumenjtë e depozitohen grumbuj  plehërash në çdo cep të Shqipërisë dhe ne s’na shqetësojnë fare. Nivelet e ndotjes së ajrit vazhdojnë ta mbajnë Tiranën 25% mbi normat e lejuara nga OBSH dhe ne prapë indiferentë.

Natyra sikundër njerëzit meriton respekt! Ajo ka mënyrën e saj për t’i vënë gjërat në vend. Thuhet se hakmarrja është një pjatë që serviret e ftohtë dhe natyra me urtësinë e saj do të na e dëshmojë ndonjë ditë kur befas do na tronditet rehatia e kafesë së përditshme në lokalet  zhurmuese që aq shumë e shijojmë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here