Marrëveshja bërthamore/ Irani zhvillon bisedime pozitive me Europën, Trump shton sanksionet

Ministri i Jashtëm i Iranit njoftoi një “fillim të mirë” për bisedimet me Evropën për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015-të, ndërsa SHBA-të imponuan një raund të dytë të sanksioneve të reja, duke ilustruar qasjet e ndryshme të Amerikës dhe aleatëve të saj.

Vendimi i Donald Trump për të dalë nga pakti i çarmatimit bërthamor, i cili ishte një nga arritjet qendrore të Barack Obamës, ka marrë si përgjigje dënimet publike dhe zotimet për të ruajtur marrëveshjen nga liderët evropianë dhe Teherani.

Duke ndjekur zotimin e Iranit për të mbështetur dhe vijuar paktin edhe pa pjesëmarrjen e Amerikës, ministri i jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif zhvilloi një takim me zyrtarë të Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Bashkimit Europian.

“Ne jemi në rrugën e duhur”, tha Zarif, duke shtuar se “shumë gjëra do të varen nga ajo që do të vendosim në javët e ardhshme”.

Drejtuesja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, u shpreh se të dy palët po punonin për “të gjetur zgjidhje për të mbajtur marrëveshjen gjallë”, si dhe tregtinë ndërkombëtare që përfshin Iranin, që varet nga ajo.

Sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, u tha gazetarëve se marrëveshja bërthamore “ka vlerë”, edhe me mungesën e Amerikës.

“Ne do të shikojmë një paketë masash që do mund të jemi në gjendje të krijojmë si evropianë për të inkurajuar iranianët që të qëndrojnë në marrëveshje”, tha Johnson.

Ndërkohë që autoritetet evropiane po dërgonin përfaqësues për të negociuar me Iranin, Amerika dënoi regjimin dhe kërkonte të kufizonte ndikimin e saj me një raund të ri sanksionesh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here