Mbyllet qeveria amerikane

Qeveria amerikane ka nisur mbylljen federale të shumë shërbimeve, pasi Senati nuk arriti të gjejë akordin për buxhetin e ri. Drafti për financimin e qeverisë deri më 16 shkurt nuk ka arritur të marrë 60 votat e nevojshme për miratim, pas mosmarrëveshjeve mbi emigracionin dhe sigurinë kufitare. Kjo është mbyllja e parë që ndodh ndërkohë që e njëjta parti, pra Republikanët, kontrollon Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë.

Dështimi i mocionit nënkupton se presidenti Donald Trump shënon 1-vjetorin e inagurimit në detyrë me mbylljen e parë të qeverisë në 5 vite. Bllokimi do të ndikojë qindra mijëra punonjës federalë dhe akuzat mes palëve tashmë kanë filluar. Shtëpia e Bardhë fajësoi demokratët se kanë vendosur politikën mbi sigurinë kombëtare dhe aftësinë e shtetit për t’i shërbyer popullit. Ndërkohë demokratët akuzojnë presidentin Donald Trump për refuzim të kompromiseve dypalëshe.

Mbyllja e qeverisë ndodh kur Kongresi dhe Presidenti nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për të miratuar fondin për financimin e operacioneve qeveritare. Kjo nënkupton se shumë agjensi federale nuk do të jenë të hapura për shërbim. Pra duke filluar nga e hëna, një pjesë e konsiderueshme e stafit në departamentet e strehimit, edukimit, tregtisë, thesarit, shëndetësisë, mbrojtjes dhe transportit nuk do të punojnë. Nga ky bllokim ndikohet edhe procedura e dhënies së vizave dhe pasaportave, që parashikohet të vonohet. Mbyllja e fundit e qeverisë ndodhi në vitin 2013 dhe zgjati 16 ditë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here