Mirë se vini në Blue!

Nga Aurora Bega/

Të pagëzosh me një emër dikë apo diçka, qoftë ky një njeri,  një kafshë, një kukull,  gjësend apo qoftë edhe një blog kërkon një vramendje që mund të zgjasë ditë të tëra duke shqyrtuar një varg të gjatë emrash e duke kërkuar më të përshtatshmin. Por ndonjëherë, fatmirësisht të duhen vetëm disa çaste dhe ti vendos. Dhe bash kështu ndodhi me Blue.

Ideja për ta pagëzuar këtë blog me një emër ngjyre më feksi spontanisht, pa shumë shtrydhje truri: do ta quaj Blue, thashë teksa nxitoja të kapja autobuzin e Tiranës së Re, pas takimit më bashkëpuntorët e portalit ‘‘Media e Re’’, ndërsa ora kishte kaluar 16.00 dhe  qielli i kaltër po kthehej në një nuance bluje të thellë që mua m’u duk shumë frymëzuese.

Sigurisht nuk do ta quaja një hapësirë publike që pretendoj të trajtoj tema aktualiteti, historike, sociale apo kulturore me një emër vetëm së është ngjyra  ime e  preferuar. Do të ishtë patetike. Por rasti e do që kjo ngjyrë, më një emër të shkurtër e që mbahet mend gjatë të përmbledhë një sërë cilësish e tiparesh që duhet të këtë një blog.

Kështu, së pari bluja është ngjyra më e preferuar në botë. Duhet thyer paragjykimi ndërkombëtar, se bluja u takon vogëlushëve djem e roza zonjushave. Studime të shumta në fushën e marketingut e konfirmojnë se bluja nuk njeh dallime gjinore. (shih Kissmetrics blog: True colors infographic-the breakdown of color preferences by gender dhe ThoughtCo: These are the colors women love most ) Burra e gra e pëlqejnë atë, ashtu siç ky blog do jetë një hapësirë për të gjithë.

Një ndër tiparet kryesore të blusë është transmetimi i besueshmërisë, seriozitetit  dhe përgjegjshmërisë çka synon edhe ky blog të arrijë  si një pakt mes tij dhe lexuesit.

Ndërkohë që dimë se të gjitha ngjyrat ‘flasin’ dhe përcjellin sinjale e mesazhe, bluja mbetet mbi të gjitha, sepse bluja është ‘zëri publik’, ajo frymëzon ideale. Në domethënien e ngjyrave, bluja  na ndihmon.në shprehjen e ndjenjave dhe stimulon komunikimin, andaj jo pa qëllim gjigantët e komunikimit si Facebook, Twitter apo Linkedln kanë zgjedhur blunë për të identifikuar veten.

Dhe kështu, kësaj bashkësie të madhe komunikimi blu, po i shtojmë edhe një blog të vogël që do të jetë hapësira jonë e përbashkët e mendimit dhe zërit të lirë që kufizohet atje ku shkelet, apo fyhet  hapësira private e një qenie po aq të lirë. Pra, bujrum!

P.S

Emri është zgjedhur të shkruhet në anglisht thjesht për arsye estetike. Duke qenë se është fjalë e prejardhur prej gjermanishtes nga ‘blau’ nuk është se e dëmtojmë apo fyejmë gjuhën shqipe! 🙂

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here