Në Janar hyn në fuqi vendimi për importin e automjeteve

Në Tiranë ka mbi 218 mijë automjete, nga të cilat 175 mijë janë vetura. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, makinat janë shkaktari kryesor i ndotjes së ambientit, sidomos autoveturat e vjetra.

Shqipëria po merr një sërë projektligjesh për mbrojtjen e ambientit lidhur me automjetet, duke reduktuar TVSH-në me 6 përqind për autobusët elektrikë dhe duke përjashtuar totalisht nga kjo taksë importin e makinave elektrike nga qytetarët.

Përsa i përket automjeteve me karburant, më 31 dhjetor hyn në fuqi një vendim qeveritar i 2018-s, që importi i automjeteve të reja me kilometrazh 0 duhet të përmbushin normën 5 të Bashkimit Evropian për emetimin e gazrave ndotës.

Ndërsa për importin e autoveturave të përdorura, ato nuk lejohen të kenë një datë prodhimi më të vjetër se 10 vjet nga data e regjistrimit.

Pra, nëse autovetura regjistrohet më 15 prill 2020, makina nuk mund të jetë prodhuar më herët se 15 prilli i vitit 2010. Ndërsa autobusët dhe kamionët e përdorur tip M2 dhe N1, duhet të kenë një normë euro 3, dhe të mos jenë mbi 15 vjet nga data e regjistrimit.

Gati 80% e automjeteve të përdorura që janë importuar deri më tani janë mbi 10-vjeçare.

Kontributi i të ardhurave doganore nga automjetet e përdorura ishte mbi 6 miliardë lekë përgjatë 2018-s, dhe 3.6 miliardë për periudhën janar-tetor 2019.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here