Një forum për gratë, ku sërish spikati një burrë

Nga Aurora Bega/

Megjithëse dita sot nisi me shi dhe e ftohtë, i  kisha premtuar vetes që do shkoja ta ndiqja forumin që do të zhvillohej  tek Tirana International Hotel mbi fuqëzimin e grave në shërbimin publik. Takimi ishte programuar të zhvillohej në ora 09.30-12.00, por unë mbërrita me shumë nxitim në 10.00 e shqetësuar se kisha humbur diçka sepse kisha menduar të bëja edhe një raportim të ngjarjes në portalin ku shkruaj për një blog.

E çuditur pse aktiviteti s’kishte nisur ende, sa zura vend dhe nxora bllokun  e shënimeve pashë që mungonte një prej të ftuarve, Shkëlqesia e Tij, presidenti i vendit, z.Ilir Meta.  Pas afro 15-20 minutash presidenti mbërriti, i ftuar nën cilësinë e detyrës së tij dhe që në fakt ishte i vetmi burrë në panel.

Forumi ishte serioz, me përfaqësi grash dhe vajzash nga sfera publike dhe politike. U diskutua gjerësisht për strategjitë e deritanishme, rolin që duhet të ketë media, qeveria dhe gjithë institucionet në ndërgjegjësimin e barazisë gjinore në proçesin e vendimarrjes.

Zakonisht këto takime janë një rutinë ku si qëllim kryesor është promovimi i qendrës, ngacmimi i mediave për t’i dhënë zë një iniciative të re e cila ka një kauzë për të përmbushur. Dhe në fakt, e gjeta interesante iniciativën e znj. Mimoza Hajdarmataj për të ndihmuar në fuqëzimin e vajzave dhe grave në vendimarrje dhe veçanërisht atyre që janë të papërfillura, të padukshme, siç i quajti ajo. Dhe ndaj e shpërfilla shiun që të shkruaja diçka për këtë ngjarje. Ideja ishte ta përcillja si lajm rutinë, por rrugës ndryshova mendim për dy arsye.

E para,mes gjithë fjalimeve, më bëri përshtypje fjala e mbajtur nga znj. Eglantina Gjermeni. Ajo tha atë që ndoshta shumë të tjerë e vunë re, por s’folën. Ajo tha një të vërtetë që nuk mund të lihej pa përmendur ndërkohë që sapo po flitej për barazi gjinore. ‘’Po të vini re, janë larguar të gjitha kamerat pas largimit të atij që duhet të ndiqej, ka mbetur vetëm një kamera. Domethënë nuk ka shumë rëndësi çfarë flitet tani këtu dhe nuk më vjen aspak mirë’’, tha ajo duke vijuar pastaj me politikat  e ndjekura kur ajo ishte në krye të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Dhe në fakt, zonja Gjermeni kishte të drejtë. Ne ngremë debate për barazi gjinore, zhvillojmë forume e kongrese grash e në fund, për median lajm bën prania e një burri, apo e një titullari të rëndësishëm. Pavarësisht pozicionit që zoti Meta ka si president i vendit, ai mbetej një i ftuar, sikundër znj. Atifete Jahjaga, znj. Ballanca e deputete e ish ministre të tjera aty.  Fokusi i këtij forumi ishte promovimi i kësaj qendre e cila si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar  ka si synim fuqëzimin  e grave në shërbimin publik, por edhe më gjerë.

Dhe së dyti, po t’i hidhini një sy pasqyrimit mediatik që i ka bërë media sot aktivitetit do të shihni vetëm fjalën e zbardhur të z. Meta dhe asgjë, asnjë intervistë, apo titull të rëndësishëm nga fjala e  znj. Hajdarmataj dhe zonjave të tjera. Prandaj, të nderuar kolegë mediash, kur e zbardhni shabllon fjalimin  e presidentit edhe mund ta lexoni, sepse nëse do ta lexonit do të vinit re se ai përveç thirrjes për barazi gjinore institucionale ka bërë thirrje edhe për barazi gjinore mediatike.

 

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here