Përse gratë dhe vajzat në Al Hawl nuk janë të radikalizuara…

223

Fytyrat e fëmijëve mes pluhurit dhe mbeturinave të shoqërojnë kudo në kampin Al-Hawl. Përreth tyre, gra dhe vajza që bartin ushqimet e paketuara dhe tentojnë të pastrojnë mes çadrave.

Ky ishte impakti i parë në hyrje të burgut prej 80 mijë personash ndonëse i quajtur kamp në shkretëtirën mes Sirisë dhe Irakut.

Ndonëse në deklaratat publike të kryeministrit, ministrave e zv/ ministrave është thënë gjithnjë se po punohet për rikthimin e grave dhe fëmijëve të izoluar në veriun e Sirisë fare pranë Kurdistanit, asnjë operacion konkret nuk është ndërmarrë.

Gjithnjë mbetet rreziku i cili sipas zyrtarëve është ai i ekstremizmit apo indoktrinimit të këtyre personave.

Fill pas publikimit të realitetit të jetuar të atyre grave vajzave dhe fëmijëve nga media shqiptare dukej se diçka do ndryshonte por sërish i njëjti qëndrim. Më datë 13 nëntor 2019 kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj, përmendi disa riatdhesime të ndodhura në heshtje ndërsa sipas saj Shërbimi Informativ Shqiptar ka shtuar mbikqyrjen ndaj këtyre individëve.

“Situata e këtyre shtetasve është ndjekur. Ka që nga viti 2015, që nga të dhënat tona nuk na rezulton të jenë rekrutuar shtetas të tjerë shqiptarë. Së pari, ka qenë zgjedhje e lirë e tyre për të udhëtuar drejt Sirisë dhe së dyti nuk është një situatë kaq e thjeshtë që kufizohet në marrjen dhe sjelljen në vend të tyre. Nga viti 2014 e deri më sot, ka pasur shtetas shqiptarë që nuk janë bërë publik. Aktiviteti i tyre është ndjekur me vëmendje të shtuar, pasi duke qenë të radikalizuar, përbëjnë rrezik. Operacionet për rikthimin e tyre nuk janë të thjeshta dhe as të tilla që mund të ndahen me publikun”, sqaroi Felaj.

Ndërsa Mimi Kodheli, kryetarja e Komisionit të Jashtëm kërkoi më shumë vëmendje nga shteti:

 “Është një arritje reale mediatike, kjo është ajo çka media duhet të jetë. Duhet angazhim nga të gjitha strukturat ligjvënëse dhe ligjzbatuese, lidhur me një fenomen që ka pasur pasoja. U desh një televizion i huaj që të na sensibilizonte më tepër dhe nëpërmjet reportazhit të A2 u tregua se ka fëmijë të tjerë shqiptarë atje. Mendoj që është vepër e mirë e juaja, por ndërkohë bëj thirrje për strukturat dhe agjencitë e inteligjencës për të bashkëpunuar me aleatët tanë për të mundësuar kthimin pranë familjeve të fëmijëve që po vuajnë atje”.

Realiteti në të vërtetë ishte krejt ndryshe pasi shteti shqiptar nuk dispononte as emrat e grave e femijeve të mbetur në atë kamp. Edhe kësaj here media ndihmoi antiterrorin shqiptar e ministrinë e jashtme duke i servirur të dhënat e të gjithë shqiptarëve por jo vetëm në kampin famëkeq.

Emrat janë shkruar nga vetë gratë.

Përpos neglizhencës së strukturave qeveritare ajo çfarë del më së shumti në pah nga komunikimet publike është frika e radikalizimit të këtyre personave. Por a janë me të vërtetë ata të radikalizuar?

Unë si dëshmitar i prekjes së atij realiteti dhe jetesës së atyre personave mund të them se të gjitha gratë dhe vajzat që mbahen në kampin al Hawl nuk janë të radikalizuara. Ndonëse mediatikisht thuhet se ata i janë bashkuar me vullnetin e tyre ISIS diçka e tillë nuk mund të konfirmohet saktë.

Nuk mund të flitet për “luftëtare të huaja shqiptare” si një kategori e veçantë pasi ka rrugë shumë të ndryshme të ndërmarra nga gratë por asnjëra prej tyre e radikalizuar. Së pari,ka raste të grave që vendosën të mos përfshihen në konflikt, edhe pse kanë përjetuar trysni nga burrat ose partnerët e tyre pjesëtarë në organizatat ekstremiste. Ka edhe raste të grave që si pasojë e drejtpërdrejtë e varësisë së tyre nga familjet dhe burrat e tyre, janë detyruar të përfshihen në konfliktin e Sirisë dhe Irakut. Gjithashtu duhet të kuptojmë se propaganda e ISIS-it i konsideron gratë si nëna që do të rrisin brezin e ardhshëm të xhihadistëve, dhe e kufizon rolin e tyre në jetën shtëpiake, mësimdhënie dhe si motra medicianle në disa raste. Gjatë qëndrimit të tyre në territorin e mbajtur nga ISIS (ndoshta edhe grupe të tjera ekstremiste), gratë shqiptare u përmbahen roleve dhe normave tradicionale gjinore. Nuk i sheh njeri jashtë shtëpive dhe detyrat e tyre janë të kufizuara në jetën familjare (kryesisht gatim, pastrim dhe kujdesi për fëmijët e tyre).Gratë shqiptare edhe nga kontakti që patëm me ta  nuk kanë qenë pjesëmarrëse aktive në organizatat e dhunshme ekstremiste. Nuk i kanë lejuar as të marrin pjesë në luftime, as të mbajnë armë.

Gratë shqiptare gjatë qëndresë në Siri kryesisht kanë qëndruar bashkë, për shkak të faktit se flasin të njëjtën gjuhë. Gratë e martuara qëndronin me burrat e tyre dhe të ndarë nga beqaret që jetonin në shtëpitë e tjera, të quajtura maqqar ,deri kur të marrin oferta martese. Kjo është përshkruar në disa tregime të ndryshme dhe shumë gra e kanë theksuar këtë gjë. Edhe pse këto gra kanë bërë jetë kryesisht shtëpiake, rolet e tyre të brendshme mbulohen me lavdi; ato nuk i shohin rolet e tyre si të kufizuara, por më tepër si të drejta shpirtërore.

Shtëpitë ku kanë jetuar këto gra nuk përfaqësojnë kampe ushtarake apo diçka të ngjashme, pasi gratë nën ISIS nuk mund të mbajnë pozita luftarake ose të marrin pjesë të drejtpërdrejtë në ‘xhihad’. Grave emigrante nuk u është lejuar të mbajnë armë si pjesëmarrëse në luftë në asnjë formë apo mënyrë. Ndonëse në internet  mund të qarkullojnë disa video të grave që mbajnë armë dhe madje edhe i zbrazin në disa raste, realiteti atje ka qenë i ndryshëm.

Gratë në këto zona konflikti shihen thjesht si nënat dhe grate e xhihadistëve, ato që “do të rrisin gjeneratën e ardhshme të muxhahidëve” Për më tepër, “atyre” nuk u lejohej as t’i vizitonin kampet ku luftëtarët e huaj mes tyre dhe bashkëshortët stëviteshin për të luftuar”.

Asnjë nga gratë nga Shqipëria, Kosova apo dhe Maqedonia nuk ka emigruar në Siri dhe Irak vetëm, por të shoqëruara nga bashkëshortët dhe familjet e tyre.  Kjo tregon se ato ndryshojnë nga stereotipet e tjera të Europës ku mes të rekruturave të ISIS kanë qenë dhe gra të cilat kanë udhëtuar vetëm për tiu bashkuar Daesh.

Rasti unik ku njëra prej grave shkoi në Siri e vetme është i Mentije Dumanit. E moshuara 70 vjeçare e cila shkoi në Siri nuk mbërriti për të luftuar por për tu kujdesur për Eva dhe Endri Dumanin nipin dhe mbesën e saj të mbetur të vetëm pas vrasjes së babait të tyre Shkëlzen Dumani.

Gjatë intervistës së dhënë ajo foli për kushtet e “mira” në kamp por në të vërtetë fjalitë e saj tregojnë më shumë.

Fjalët e saj tregojnë për terrorin që mbizotëron në kamp dhe se në seksionin e të huajve aty ku janë dhe më pak se 20 familje shqiptare ka rrezik konstant që vjen nga pjesa tjetër e grave të kampit.

Mes rrugëve të Al-Hawl në sektorin ku ndodhen dhe shqiptarët ka rreth 10 mijë persona.  Shumica prej tyre kanë udhëtuar për tiu bashkuar ISIS dhe aty jetojnë dhe disa prej personave më të radikalizuar që kryejnë dhe vrasje. Të gjitha këto minicelula janë të identifikuara në brendësi të kampit madje ato ndodheshin dhe në afërsi të zonës ku ne kryenim intervistat ndaj dhe Mentije Dumani ishte e detyruar të fliste për kushte të “mira” pasi ajo e dinte rrezikun që kanosej edhe në rast kur mediat tërhiqnin vëmendje.

Një tjetër detaj jo pak i rëndësishëm ishte dhe pozicionimi i familjeve shqiptare në kampin Al Hawl. Ata kishin vendosur të rrinin larg në skajin jugor të të gjithë kampit të izoluara nga pjesa tjetër e çadrave. Një veprim i tillë sipas tyre ishte se në këtë mënyrë ndiheshin më të sigurta nga celulat në brendësi të kampit por edhe për fëmijët e tyre. Kjo pasi herë pas here kishte djegie të qëllimshme të çadrave.

Jetesa e atyre grave vajzave dhe fëmijëve në kamp kërkon reagim nga shteti dhe jo fshehje pas deklaratave se po punohet apo hipotezave se mes tyre ka radikalizim.

Diçka e tillë hidhet poshtë nga vetë prania e të moshuarës Mentije Dumani e cila u nis e vetme për tu kujdesur për nipin dhe mbesën e saj.

E nëse shteti shqiptar nuk mund të bëjë diçka për ata persona duhet të mendojë për fëmijët pasi ata nuk janë të radikalizuar. Ata po marrin përkujdesjen e nënave të tyre ndonëse në kushte çnjerëzore.

 

Julian Kasapi

 

 

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here