Portalet shqiptare dhe dylbitë gjirokastrite

Nga Aurora Bega/

(Shkrimi është postuar më datë 07.08.2017 në faqen time në facebook, por fatkeqsisht, duke qenë se mbetet aktual edhe pas katër muajsh, e gjeta të arsyeshme t’i jap zë përmes një portali që synon të respektojë standardet e etikës)

Dje pas mesnate, ose sot në orët e para të mëngjesit, diku rreth orës 02.00 poshtë pallatit ku banoj dëgjoheshin zëra dhe muzikë e lartë prej telefonit, të qeshura cingrisëse dhe pasthirrma të stërgjatura: ‘‘Oh my God!’’ dhe pastaj ‘‘O Genooo, hajdee!’’. U përpoqa t’i shpërfill, por në kushtet e vapës së përzishme ku dritaret dhe dyert qëndrojnë hapur kanat për të mezipritur atë pakëz fllad mbrëmjeje, zëri vinte shtizë, drejt e në krevat. E ca nga impulsiviteti që më karakterizon, e ca nga nervozizmi që vapa ka mbi trurin (ju kujtoj ndikimin që pati dielli tek personazhi Mërso, i Kamy-së) pas 20 minutash durim tentova t’u bëj një zë nga ballkoni. Por, duke u përpjekur t’u bëja një thirrje të përmbajtur për mos të shqetësuar banorët, ata ose nuk më dëgjuan ose më shpëfillën dhe nuk e bënë qejfin qeder. U shtriva sërish, kësaj radhe dyfish e irrituar. Gjumi kishte marrë arratinë, ndërsa zërat tani më vinin edhe më cingrisës. Tentonin të këndonin me muzikën e telefonit, stil karaoke. Ishim në luftë nervash. Në fakt unë isha në luftë (dhe besoj shumë banorë përreth), se ata ishin super të relaksuar.

Dhe ashtu shtrirë në krevat, befas më grishi një ide. M’u ndërmend një komshije kur isha fëmijë. Çdo ditë në pikun e vapës kur të gjithë dremitnin, në ‘armiqtë e betuar të gjumit’ e bezdisnim poshtë dritares së shtëpisë, me të thirrura e të qeshura pa teklif. Ajo, shpesh na bërtiste e na bënte be e rrufe se po të na kapte do na ‘bënte të vdekur’, por ishim fëmijë, dhe aq na bënte, na shkonte rrezja e shikimit deri tek loja me top, shtëpizat e kukullat. Por, një ditë pa na lajmëruar na u zbraz mbi kokë një rrëke e madhe uji. O Zot, qull në ujë të gjithë! Të lemerisur, ia mbathëm nga sytë këmbët sepse truri na rroku idenë që pas ujit kushedi çdo na hidhte mbi kokë. Po ujin, kushedi ku e kishte mbushur…iii po të ishte ujë i pistë! E kështu, frika e ruajti vreshtin! Bëmë ç’bëmë, s’u dukëm më poshtë ballkonit e dritares së saj.

Ja ky kujtim më erdhi ndërmend, ndërsa luftoja me veten, t’u zbrazja një kovë ujë kokave mospërfillëse të të rinjve poshtë ballkonit dhe të përfundoja si lajm në ndonjë portal me titull: ‘‘Kovë me ujë në kokë të huajve’’ apo ‘‘Bezdisnin banorët, u hedhin ujë nga ballkoni’’. Nuk po bëj shaka. Se fundja, nuk ka ndonjë ndryshim nga lajmet që sapo lexova: ‘‘Nuk kthehej në shtëpi, e ëma rreh vajzën në mes të Kombinatit’’, apo ‘‘Pedagogu vlonjat zbulon shkakun, ja pse u vetëvar babai i tre fëmijëve’’, apo ‘‘Ja çfarë diskutuan para se burri ta vriste’’, apo ‘‘Ja kush është gruaja e vrarë, burri dyshonte për tradhti’’ etj., etj.. Një listë e gjatë banalitetesh!

Në kushtet e bumit të mediave sociale, çdokush mund të jetë burim lajmi, ose thënë ndryshe: ‘një njëri, një media’. E në fakt, të dashur miq, kolegë portalesh, unë e mirëkuptoj luftën e klikimeve, por sinqerisht jemi kthyer mbrapa në kohë, në kohën e dylbive të famshme gjirokastrite, ku përgjohej mëhalla, gjitoni e gjithë qyteti. E një sherr në familje merrte dhenë, e dilte çarçafi me njollë në tel, e numëroheshin hyrje – daljet e Petros tek Sotira, e rrotullohej dita rreth grindjeve e karshillëkut të grave, e bëheshin hesapet e gjithë qytetit, pa hanxhinë.

Nuk mund të bëhet gazetari duke iu futur njerëzve në krevat, në shtëpi e në halle të përditshme që s’përbëjnë asnjë interes publik.
Sigurisht është e lavdërueshme puna e çdo portali për të na sjellë të vërtetat lakuriqe, të pakompromista, të cilat media të mëdha shpesh i anashkalojnë, por mos bini në batakun e lajmit banal e mediokër për një klikim më shumë sepse  misoni juaj është të drejtoni publikun drejt kulturës dhe informimit të saktë, jo të shtroheni në thashetheme mëhalle. Misioni juaj nuk është t’i përshtateni publikut, ju formësoni modele. Publiku ju ndjek ju.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here