Pse po hesht Basha për skandalin që paralajmëroi?

254

Në 29 nëntor në kulmin e akuzave nga ana e Partisë Socialiste për kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA , Lulzim Basha paralajmëroi një tjetër skandal që do bëhej publik në lidhje me qeverinë. Të gjithë ishin dhe jemi sy e veshë nga Basha. Por  deri më tani, ai tregoi edhe një herë se nuk zhgënjen,  duke i mohuar publikut të mësojë të vërtetën për një tjetër skandal që do të godiste  kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij.  Nje tjetër skandal si ai përmasave të Saimir Tahirit i cili akuzohet për trafik droge dhe korrupsion dhe i Vangjush Dakos i cili është nën hetim për blerjen e votave, do të ishtë një tjetër goditje e rëndë për Ramën. Por kur të gjithë ishin bërë gati që në daljen e radhës, pretendenti për kryeministër dhe njeriu që do ndihmojë shqiptarët të rrëzojnë këtë qeveri të korruptuar sipas tij, nuk ka thënë asnje fjalë për ketë skandal. Është e çuditshme se si një kryetar opozite që duhet të publikojë çdo skandal që do t’i jepte më pas kapital politik zgjedh të heshtë.

Ngrihen disa pikepyetje mbi ketë çështje dhe seriozitetin e Bashës karshi shqiptarëve. Ka nga ata zëra që thonë se Lulzim Basha po e mban ketë dosje si as nën mëngë për zgjedhjen e prokurorit te ri të përgjithshëm. Numri një i opozitës ka përballë një pushtet që ka numrat në parlament për të zgjedhur kë të dojë në krye të akuzës. Ndoshta e vetmja mënyrë për ta penguar është shantazhi duke përdorur këtë dosje. Ndoshta edhe propozimi i Kryeministrit Edi Rama një ditë më parë për bashkëpunim me opozitën në zgjedhjen e Kryeprokurorit nuk duhet lënë jashtë këtij puzzle?  Megjithatë, kthehemi tek kreu i PD. Sa parimor do të jetë Basha para shqiptarëve nëse ai i mohoi atyre të mësojnë një skandal ku është përfshirë qeveria Rama? Kreu i PD-së, ndoshta duhet të zgjedhë që këtë herë të publikojë të vertetën pa kompromis nëse do t’i japë mesazhin se ai nuk i fsheh gjë shqiptarëve dhe çdo herë do t’u thote të vërtetën. Apo do të zgjedhë të jetë politikani i kulisave. Politikanë të cilët shkëmbejnë favore mes tyre në kurriz të shqiptarëve dhe institucioneve të pavarura shqiptare. Rezultati do të jetë i njëjtë si gjithmonë, institucione të dobëta dhe lehtësisht të shantazhueshme nga pushteti aktual dhe ai i radhës nesër. Këtë situatë mund ta ndryshojë një politikan i cili gjithmonë zgjedh të thotë të vërtetën dhe jo të hedhë shashka se disponon dosje dhe më pas hesht derisa të marrë atë që do. A mund të jetë Lulzim Basha politikani i ri? Nëse e publikon atë dosje sigurisht. Përndryshe….

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here