Rama: Me Merkel plan të përbashkët veprimi në shtimin e donatorëve

Pas takimit me kancelaren Angela Merkel kryeministri Edi Rama dha një intervistë për të dërguarin e Top Channel në Berlin Muhamed Veliu.

Kancelarja Merkel në deklaratën e saj tha se Gjermania do të marrë pjesë në konferencën e donatorëve, përtej kësaj, në takimin që patët çfarë angazhimi tjetër mori kancelarja?

Kancelarja është një person shumë i dhënë pas shifrave dhe jam i mbresuar nga hollësitë që ajo dinte rreth invetarit të dëmeve. Është tërësisht e angazhuar ta mbështesë konferencën e donatorëve jo thjesht si pjesëmarrës. Dakortësuam bashkë një plan veprimi për të kontaktuar jo vetëm brënda por edhe jashtë BE me të tjera shtete që mund të japin një kontribut për këtë proces.

Sapo thatë që kancelarja është e mirëinformuar sa i përket shifrave, a pati ndonjë shifër konkrete për ndihmën e Gjermanisë ndaj Shqipërisë?

Jo nuk pati, nuk folëm ekzaktësisht për këtë sepse ky është një proces shumë i lidhur me raportin final të hartuar në bashkëpunim me ekspertët e BE dhe bankës botërore që bëhet zyrtar më datë 4 shkurt dhe nga ana tjetër është një proces që askush nuk i nxjerr kartat i pari pasi kërkon të shohë të tjerët.

Edhe njëherë tjetër në pamë mbështetjen e kancelares për sa i përket çeljes së negociatave, çfarë tjetër iu tha ajo duke marrë parasysh faktin që ishte Macron ai që nuk dha dritën jeshile herën e kaluar?

Kancelarja shumë e vendosur për të mbështetur procesin e negociatave me BE. Folëm me detaje për operacionin kundra krimit të organizuar dhe ligjin special që tanimë ka marrë formë përfundimtare falë bashkëpunimit të ngushtë me ekspertët e euralius dhe opdatit.

Kryeministër në deklaratën për media kancelari e përmendi rajonin. Gjatë takimit që ju patët a folët edhe për Shengenin Balkanik?

Natyrisht kancelaria është tejet mbështetëse për këtë proces. Madje ne diskutuam dhe ky proces do të gjejë një mbështetje gjithmonë dhe më të madhe. Konsiderohet një nisëm shumë domethënëse dhe fakti që kjo nisëm u ndërmor nga nga tre vende por jo si një nisëm ekskluzive por një nisëm gjithpërfshirëse ku të gjitha vendet janë të ftuara dhe fakti që në fund të ditës kjo nisëm nuk është asgjë tjetër veçse jetësimi i nismave të dakortësuara gjatë procesit të Berlinit e bën kancelarin shumë të inkurajuar dhe shumë të interesuar për procesin.

Përfshirë dhe faktin që ajo e kupton shumë mirë dhe e di shumë mirë se çfarë hapi i jashtëzakonshëm është bërë në raport me Serbinë duke e bindur Serbinë që të heqë dorë nga vetoja ose nga refuzimi për të lejuar dhe lëvizjen e lirë të njerëzve që do të thotë: Lëvizja e lirë e njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjë që për fat të keq në Prishtinë nuk duan ta kuptojnë dhe kujtojnë se duke e kthyer këtë në një debat se kush është tradhtari dhe kush është patrioti po i bëjnë ndonjë nder apo të mirë Kosovës.

Jo e vërteta është që po e dëmtojnë Kosovën, po e largojnë atë nga miqtë dhe partnerët e mëdhenj të saj dhe po ja ulin në mënyrë krejt të padrejtë reputacionin e madh që Kosova fitoi pas marrjes së të drejtës për të qenë një shtet i lirë dhe sovran. Kështu ne do të vazhdojmë me procesin dhe patjetër që nxitja e gjithanshme edhe nga BE edhe nga gjermania nga SHBA pa diskutim do të jetë që procesi të ecë më tutje.

Dhe e fundit fare sigurisht që ka një të dhënë domethënëse të ditëve të fundit që është shtysa e fortë e ambasadorit Grenell duke i detyruar palët dhe madje KFOR të ulet në tavolinë me Beogradin për të nënshkruar linjën e lëvizjes në linjën ajrore Prishtinë –Beograd dhe më pas në hekurudha që u përshëndet me të drejtë nga ata të cilët ndërkohë nuk lenë baltë pa hedhur mbi një proces që e kam nxitur unë dhe që shkon në të njëjtin drejtim.

Dhe kjo është diçka që përfitoj nga rasti ta them edhe pse nuk ishte pjesë e drejtpërdrejt e diskutimeve të kancelares që është për të ardhur keq madje për të qenë të dëshpëruar me këtë dyfytyrësi që nga një anë shfaq buzëqeshjen të zgjatur servile dhe nga ana tjetër shfaq dhëmbët kërcënues të një politike provinciale që për disa vota dhe për një popullaritet të përkohshëm është gati të hedhë baltë dhe të krijojë hendek me vendin si motër, si vëlla pjesë e të njëjtit komb.

Top Channel

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here