Samiti i SEECP, Presidenti Meta dhe kryeministrja serbe përplasen për Kosovën

Presidenti Ilir Meta ka kritikuar Bosnje-Hercegovinën si vend pritës i samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, ku mungon Kosova pasi Presidenti Hashim Thaçi refuzoi ftesën e bërë nga homologu boshnjak Milorad Dodik.

Meta vuri në dukje se pikërisht mungesa e Kosovës në këtë samit është tregues i sfidave që ka rajoni, që kërkon të integrohet në Bashkimin Europian.

“Një seri sfidash bilaterale dhe rajonale pengojnë ecurinë e rajonit në Bashkimin Europian. Në këtë pikëpamje dua të shpreh të gjithë keqardhjen time që Republika e Kosovës, kryesuesja e radhës, është detyruar që të mos marrë pjesë në këtë samit”, tha Meta.

“Si mund të pretendojmë që të kemi bashkëpunim efikas kur disa prej pjesëmarrësve bëjnë gjithçka munden që të përjashtojnë popuj të tërë dhe një vend anëtar nga përfitimi prej bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet rajonale, në fusha të rëndësishme si siguria, edukimi dhe kultura?

Presidenti Meta, mori pjese ne forum, ndryshe nga Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, që anuloi pjesëmarrjen për shkak të trajtimit të pabarabartë të Kosovës.

Apeli i Presidentit Ilir Meta në samitin e SEECP në Bosnje për të njohur Kosovën ka sjellë edhe reagimin e kryeministres së Serbisë, Ana Branbiç.

Këtij apeli, Ana Branbiç iu përgjigj duke thënë se këto deklarata janë provokime.

Brnabiç ka thënë se korniza e SEECP nuk e njeh Republikën e Kosovës, së bashku me vendin pritës Bosnje-Hercegovinë, kështu që do të ishte mirë ta respektojmë këtë në marrëdhëniet diplomatike.

“Unë sugjeroj që të veprojmë në përputhje me kornizën e vendosur në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, me qëllim sigurimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, duke treguar respekt për njëri tjetrin, pa përdorur provokime të tilla që Meta u përpoq të përdorë”, tha Brnabiç.

Brnabiç shtoi se përveç vendit pritës, ka edhe vende të tjera të vendeve të SEECP që nuk e njohin Kosovën, si Rumania, Greqia, apo Moldavia.

 

Kosova refuzoi ftesën për të marrë pjesë në samit. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte njoftuar se ishte ftuar të merrte pjesë në samit me një shënim shpjegues pranë emrit të Kosovës, në dallim nga shtetet e tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here