Senada Mesi dhe Bledi Çuçi, emrat e PS për kryebashkiak

Partia Socialiste ka nisur të mendojë për zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2019, të cilat mes të tjerave do të jenë edhe një tregues i mirë për partinë që drejton e vetme qeverinë.

Për këtë arsye, brenda PS-së kanë nisur të kryhen anketime, ndërsa nuk mungojnë as zërat e parë me kandidatët e mundshëm për Kryebashkiakë.

E ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” me Erjon Çikun, gazetarja e politikës në “Gazetën Shqiptare”, Darina Tanushi, zbuloi disa nga emrat që përfliten brenda PS-së si kandidatë për Kryetarë Bashkie.

Një ndër këto emra është edhe ai i Senida Mesit, aktualisht zv/Kryeministre, e cila mund të jetë një kandidaturë e mundshme për të garuar në Shkodër përballë Voltana Ademit të PD-së.

Por pas nuk mbetet as Bashkia Gjirokastër, një bastion i vjetër i socialistëve, të cilin duan ta rifitojnë duke qenë se në zgjedhjet e fundit kjo bashki iu la LSI në bazë të marrëveshjes së koalicionit qeverisës. Ndaj sipas gazetares Tanushi, për Bashkinë Gjirokastër po mendohet gjithnjë e më tepër si kandidat potencial, deputeti Bledi Çuçi.

Sipas Tanushit, ish-ministri ka arritur të fitojë mjaft popullaritet në Gjirokastër, qark nga i cili doli deputet në zgjedhjet e fundit.

Megjithatë Tanushi nënvizoi se për të pasur një panoramë më të qartë të zgjedhjeve, në PS pritet lëvizja që do të bëjë opozita, dhe mbi të gjitha nëse PD e LSI do të shkojnë bashkë në zgjedhje.

Kjo pasi, bazuar në dhënat e zgjedhjeve të fundit, ka shumë bashki në të cilat PS rrezikon të humbasë nëse përballë do të ketë opozitën si një forcë e vetme politike.

E pyetur nëse priten ndryshime në qeveri, gazetarja theksoi se kjo nuk mund të përjashtohet. Por se puna e ministrave do të vlerësohet gjatë kësaj vere, dhe veçanërisht pas përgjigjes që do të marrë Shqipëria nga BE më 28 dhe 29 qershor, për hapjen ose jo të negociatave.

Gazeta Shqiptare

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here