Shko ku të çon zemra!

Nga Aurora Bega

Nëse ka një libër që s’mund ta ndash stilolapsin nga dora gjatë gjithë kohës duke nënvizuar pasazhe, fjali e fjalë është pamëdyshje fare ‘‘Thuaj zemrës po’’ nga autorja italiane Susanna Tamaro, e i shqipëruar shkëlqyeshëm nga i ndjeri, Dritan Çela.

Qëndron prej vitesh në bibliotekën time, ashtu i zbërthulët nga koha e i skuqur e zverdhur vende-vende me ngjyra dalluese që t’i kisha kollaj pastaj t’i gjeja, kur i kërkoja me një frymë për të ilustruar në biseda mes miqsh se kjo Tamaro na qenkësh një grua shumë e mençur, ndaj dhe e pamartuar. Nuk kam asnjë dëshirë të bëj marketing (jo të paguar), por ndoshta ky libër i mrekullueshëm nuk do binte në dorën time pa sugjerimin e një mikeshe shumë vite më parë. Kështu, edhe unë kam një dëshirë të pamatë ta lexoni dhe ju, sepse siç thoshte Abraham Linkoln: ‘‘Miku më i mirë është ai që na çon drejt një libri të ri’’. Huajeni, merreni në bibliotekë, por mos e lini pa lexuar!

E kështu ky libërth i vogël, më një ballinë fare të thjeshtë më cyti të hedh këto rreshta.

‘‘Thirri mendjes, mos u bëj budallaçkë!’’, na thoshin nënat gjithë kohën, por kurrë s’dëgjova ndonjërën syresh të thoshte: ‘‘Viji veshin zemrës, bëj ç’të të thotë ajo!’’ A thua se të ndiqje dëshirat dhe pasionet që të vinin së brendshmi do të thoshte të bjerrje arsyen që vinte nga truri si një nga organet më të epërme të qenies njerëzore. Po pse truri na qenkësh organ superior e mendja na shpjerka në zvetënim?

‘‘Mendja është moderne, gjithaq sa zemra është e lashtë!’’, thotë Tamaro. Po vërtet, a nuk i marrim prodhimet më të mira prej tokës në kushte natyrore, pa sera e pa kujdes artificial? Moderniteti na ka kufizuar mundësinë e njohjes së vetvetes, na frikëson ideja e të qenurit demode, jashtë standardit që na imponon shoqëria, e cila nga e saj na shfaqet e ftohtë, konformiste, por që zemrën e ka ndryrë në 100 kyçe.

E kështu mot pas moti e shekull pas shekulli mendja zhvillohet, por në këtë zhvillim mendja molepset keqas me fjalët; ajo bëhet robinjë e mendimeve, e klisheve, e standardeve. Ajo mbetet peng i dukjes, ndërkohë që zemra besnike e së vërtetës.

Nëse duam të bëjmë ndryshimin e madh, nuk mund të presim revolucionet, duhet thjesht  ta nisim nga brenda vetes, sepse çdo transformim është një lëvizje që shkon nga brenda drejt së jashtmes. Lipset të kemi guxim për t’ju kundërvënë klisheve të moderitetit dhe t’i besojmë zërit të brendshëm. Prandaj dhe gjyshes i bën përshtypje zgjedhja e një qenushi të çuditshëm prej mbesës 10-vjeçare e gjatë një letre, ajo i shkruan: ‘‘….në moshën tënde , unë do kisha zgjedhur një qen të butë dhe elegant, do kisha zgjedhur më të fismin e më të parfurmuarin, një qen që do të ma kishin zili të tjerët. Ndërsa ti zgjodhe qenin më të shëmtuar të stelës së kafshëve. Në të vërtetë, atë ditë ti bëre një betejë shumë të madhe, shumë vendimtare: mes zërit të dukjes dhe atij të zemrës, pa asnjë dyshim, pa asnjë ngurrim ti zgjodhe atë të zemrës. Kjo më bën të besoj se ke karakter të fortë dhe do të kesh një të ardhme të mirë’’

Prandaj në luftën mes botës dhe vetes, mos u tut, e as mos u frikëso, por mbaj krahun e vetes. Dëgjo çfarë të thotë zemra dhe pastaj shko ku të të çojë ajo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here