Shqipëria merr Kryesinë e OSBE, Këshilli i Ambasadorëve: Të justifikojë besimin e dhënë

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet marrjen nga Shqipëria të Kryesisë së radhës të OSBE-së për vitin 2020.

Ky Këshill thotë se kryesimi i organizatës më të madhe rajonale të sigurisë përmbush një synim të kahershëm të politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Si një sipërmarrje me karakter gjithëpërfshirës, Kryesia duhet t’i shërbejë çuarjes përpara të objektivave strategjike të Shqipërisë, të cilat gëzojnë mbështetjen e të gjithë spektrit politik në vend.

“Drejtimi i OSBE-së është një arritje madhore e vendit, tregues i besimit të anëtarësisë së OSBE-së në transformimet demokratike të Shqipërisë gjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit, si dhe kontributit të dhënë ndër vite nga diplomacia shqiptare për Organizatën dhe jo vetëm”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

OSBE është organizata e parë shumëpalëshe në të cilën Shqipëria aderoi pas rënies së komunizmit dhe hapjes ndaj perëndimit, që ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme në forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tonë, si dhe në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

“Në këtë kuadër, Shqipëria ka përgjegjësinë dhe detyrimin përballë Organizatës, të justifikojë besimin e dhënë, duke dëshmuar se është vetë e aftë të respektojë normat, parimet dhe angazhimet e OSBE-së në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe sundimit të ligjit. KASH vlerëson dhe mbështet prioritetet e paraqitura nga Shqipëria gjatë vitit kaluar, nën moton “të zbatojmë angazhimet e OSBE-së së bashku”, vijon më tej Këshilli.

Vëmendja e pritshme e kryesisë shqiptare tek zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, është një mundësi për të thelluar më tej bashkëpunimin rajonal, nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, pajtimit ndëretnik dhe pjesëmarrjes dhe angazhimit të plotë të Kosovës në të gjitha nismat që ndërmerren për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, përfshirë këtu edhe në kuadër të OSBE-së.

KASH fton qeverinë të angazhojë burimet më të mira njerëzore të shërbimit diplomatik dhe administratës Shqiptare për të menaxhuar me profesionalizëm dhe kompetencë dosjet e shumta që përfshihen në mandatin e OSBE-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here