Shqiptarët e Sirisë, dy herë në luftë për jetën

Shqiptarëve të Sirisë u duhet të luftojnë dy herë për jetën. Të mbijetojnë në Shtetin Islamik dhe t’i mbijetojnë virusit që ka prekur të gjithë botën.

73 shqiptarë ndodhen në Kampin Al Hol, në një nga zonat më të rrezikuara nga Co-vid 19. Ata jetojnë në skamje të plotë dhe në kushte të mungesës ekstreme të higjenës, çka i bën më te ekspozuar ndaj virusit.

Media ndërkombëtare Euronews raporton se organizatat qeveritare e listojnë kampin Al Hol ndër tre më të rrezikuarit. “Rreth 460,000 njerëz nga qyteti al-Hassakeh, Tal Tamer dhe kampet al-Hol dhe Areesha ishin pa ujë për të paktën pesë ditë këtë javë pasi pompimi në stacionin e ujit Allouk u ndërpre. UNICEF tha në një deklaratë se ndërprerja vendosi “fëmijët dhe familjet në rrezik të papranueshëm” nga sëmundja e COVID19”, raporton Euronews. (Lexo më shumë: https://www.euronews.com/2020/03/28/at-least-100-000-could-die-from-covid-19-in-syria-warn-ngos).

 

 

Shpresa që u zbeh…

 

U duk se tetorin kaluar, pati një rrezë shprese për gratë e fëmijët e kampit Al Hol, pas publikimit të historisë së Alvin Berishës, vogëlushit që humbi të emën nga shpërthimet, por falë publikimit të rastit nga mediat italiane dhe ndërhyrjes së shtetit fqinj, arriti t’i bashkohej familjes. Autoritetet shqiptare u duk se u vunë në levizje edhe pse nuk e fshehen se operacioni për kthimin e tyre do të ishte shumë i vështirë. “Fokusi ynë ka qenë qysh në fillim dhe mbetet tek gratë, të miturit dhe në bashkëpunim me partnerët si SHBA dhe po ashtu edhe me autoritetet turke, ne kemi arritur të grumbullojmë jo pak informacion. Kemi arritur të organizojmë kontakte dhe një plan për nxjerrjen e tyre nga kampet, si dhe është përgatitur gjithë infrastruktura e nevojshme për transportimin e tyre dhe një plan specifik masash për trajtimin e tyre pastaj këtu në Shqipëri”, – do të sqaronte kryeministri Edi Rama në tetor,  pas rastit të Alvin Berishës.

Por deri më tani, asnjë shqiptar nuk është kthyer. Dhe një datë se kur kjo mund të ndodhë nuk ka. Zyrtarisht, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme sqaron është e përfshirë në operacionin për kthimin e shtetasve shqiptarë që gjenden në kampet e Sirisë brenda kompetencave të saj institucionale.  Ky institucion saktëson se nuk mund të japë një shifër të saktë të shqiptarëve që ndodhen në Siri.  “Numri i shtetasve shqiptarë në kampe është ende i pasaktë dhe bazuar në dinamikën e situatës dhe informacionet e përftuara, shifrat mund të ndryshojnë dita-ditës.

Është negociuar me autoritetet lokale që administrojnë kampet ku ndodhen shtetasit shqiptarë. Nuk ka një datë të saktë për kthimin e tyre. Mënyra e procedimit të shtetasve që do të kthehen do të shikohet rast pas rasti”, sqaron Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. E njëjta ministri saktëson se nuk mund të japë të dhëna të detajuara mbi operacionin për kthimin e tyre në atdhe.

“Informacionet lidhur me situatën në kampin Al Hol si dhe për operacione të mundshme të kthimit të shtetasve shqiptare, janë shumë sensitive duke ndikuar negativisht në rezultatet e operacionit, në sigurinë e jetës së shtetasve shqiptarë që ndodhen në kamp dhe të personave që do të udhëtojnë drejt kampit për të kryer procedurat”, informon Ministria.

 

Datë kthimi jo, por plan pritjeje ka…

Aktualisht në Siri gjenden 73 shtetas shqiptarë, pjesa me madhe në kampin Al Hol, në zonën që që menaxhohet nga forcat kurde të cilët i shohin këta shqiptarë si robër lufte. 23 prej ketyre personave janë aktiv në luftime, ndërsa  45 të tjerë që kanë qenë aktivë në front janë kthyer vetë në Shqipëri.

Shteti shqiptar ka një plan të hartuar që në mars të 2018 për pritjen dhe trajtimin e shqiptarëve të Sirisë në momentin që ata kthehen në atdhe. Ky plan është hartuar nga një seri institucionesh: Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, e Shëndetësisë, ajo e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Shërbimi Informativ dhe Prokuroria. Plani i veprimit është i ndarë në katër faza.

Faza e parë e këtij plani përfshin paraqitjen e shqiptarëve jashtë zonës së konfliktit pranë përfaqësive shqiptare apo institucioneve të shteteve të tjera fqinje. Fillimisht këta persona identifikohen nga Ministria e Jashtme. Më pas Ministria e Brendshme së bashku me Policinë dhe SHISH, fillojnë procedurat e kthimit të tyre në Shqipëri.

Në fazën e dytë përfshihet paraqitja e tyre në pikat kufitare të vendit . Ministria e Brendshme siguron akomodim në afërsi të pikave kufitare. Të kthyerit do të mbahen të izoluar dhe vetëm pas ekzaminimit mjekësor nga Ministria e Brendshme, përcaktohet nëse këta persona duhen mbajtur në karantinë ose izolim. Policia ka për detyrë që në këtë fazë të identifikojë personat.

Faza e tretë e veprimit përfshin intervistimin e personave të kthyer në pikat e kalimit kufitar , ku policia, SHISH dhe Drejtoria e Antiterrorit mbledhin informacion dhe krijojnë një skedë për secilin prej tyre. Të dhënat e mbledhura paraqiten në prokurorinë ku është regjistruar një procedimi penal i cili përfshin të gjithë personat që janë në Siri edhe ata që janë kthyer. Personat e te cilët janë kthyer dhe lidhjet e tyre te afërta janë në vëzhgim nga antiterrori. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me personat qe priten të kthehen pasi deri në integrimin e tyre total në shoqëri do të duhet shumë kohë.

Faza e katërt dhe e fundit e këtij plani veprimi nis me programin e integrimit të këtyre personave. Për këtë është e ngarkuar Ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë, së bashku me përfaqësues të bashkive dhe organizatave të tjera, që shoqërojnë këta persona drejt vendbanimeve dhe zbatojnë programin e ri-integrimit nëpërmjet arsimimit, asistencës me psikolog dhe jetës në komunitet.

 

Megjithatë, plani dy vjeçar tashmë ka mbetur në letër për shqiptarët në Siri, ndërsa fqinjët tanë  Kosova dhe Maqedonia i kanë riatdhesuar shtetasit e tyre.

Largimet e para të shqiptarëve drejt Sirisë e Irakut u shënuan që në 2012, e me pas kulmi i tyre arriti dy vite më vonë ku u numëruan përafërsisht mbi 144 shtetas shqiptare që shkuan në Siri dhe Irak si luftetarë të huaj.

Sipas të dhënave të raportit  të hartuara nga institucionet e sigurisë në vend 26 luftëtarë shqiptarë janë vrarë, rreth 45 janë kthyer ndërsa 73 persona të tjerë gjenden ende në zonat e luftës, nga ku 18 luftëtarë e 55 gra dhe fëmijë, kryesisht në Al Hol.

 

Al Hol është i përbërë nga mijëra tenda në provincën siriane të al-Hasakah. Sipas Kombeve të Bashkuara, aty aktualisht gjenden rreth 73,000 persona.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, rreth 65 përqind e njerëzve në kamp janë fëmijë nën moshën 18 vjeç. Afërsisht 27 përqind e totalit janë gra.

 

Klementina Cenkollari

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here