Takimi Thaçi-Vuçiç, Bushati: Shqipëria të mbajë qëndrim parimor

Ish-Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka thënë se Shqipëria duhet të mbajë qëndrim parimor në diskutimet për çështjen e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë një aktiviteti, Bushati tha se procesi duhet të ofrojë zgjidhje duke pasur në qendër qytetarin europian dhe jo të ofrojë receta të shekullit XIX në shekullin e XXI.

“Unë bëj pjesë tek ajo kategori njerëzish që nuk e shoh as zhvillimin e Shqipërisë dhe as zhvillimin e Kosovës dhe as zhvillimin e shqiptarëve në përgjithësi në rajon në kurriz të një populli apo kombi tjetër. Por nga ana tjetër gjëja që më shqetëson më pak nga çdo gjë tjetër është çka mendon Serbia apo rehabilitimi i Serbisë në Ballkan, apo rehabilitimi i Serbisë në arenën ndërkombëtare. Mendoj se ne si Shqipëri na takon të mbajmë një qëndrim parimor përsa i përket kësaj çështje. Nuk besoj se mund të ketë politikanë në Shqipëri të mos respektojë të njëjtën gjë dhe përsa i përket integritetit territorial të Kosovës. Nuk mendoj se do të ketë njeri kurajo në Shqipëri që të apikojë një standard të ndryshëm nga ai që politika shqiptare ka aplikuar për 30 vjet me fqinjin tjetër, që është sot Maqedonia e Veriut”, ka thënë Ditmir Bushati.

Ndërkohë, në Tiranë do të zhvillohet në datat 8-9 maj Samiti i Brdo-Brijunit me presidentët e rajonit, ku e pranishme do të jetë edhe shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini. Ky organizim shihet si mundësi nga Brukseli për të ulur edhe një herë në tryezë Hashim Thaçin me Aleksandar Vuçiçin.

Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se pas Samitit të Berlinit, nuk do të flitet më për shkëmbim territoresh. Haradinaj ka qenë gjithmonë kundër korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here