Tërhiqet kandidati i BD në Kavajë, Patozi: U kapën për fyti nga sistemi i vjetër

Një tjetër kandidat i Bindjes Demokratike tërhiqet nga gara për zgjedhjet vendore më 30 qershor.

Bledar Sinella, kandidati i partisë së re politike për qytetin e Kavajës, ka dërguar një letër KQZ-së ku vendimi i tij justifikohet me faktin se ai “nuk bëhet pjesë e procesit pa opozitën”, madje edhe se Bindja nuk ka firma si parti politike.

Astrit Patozi, koordinator i Bindjes Demokratike reagoi me një status në Facebook.  Ai thekson se “nuk ka asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e BINDJES DEMOKRATIKE”.

Postimi

NUK NA NDALIN DOT, NDAJ JANË TËRBUAR NGA DËSHPËRIMI

Krenarë për atë që kemi bërë në kaq pak ditë dhe mirënjohës për gjithkënd që mbështeti dhe besoi tek BINDJA DEMOKRATIKE. Sot jemi realisht shumë më tepër dhe shumë më të fortë se në ditën e parë.

Asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e BINDJES DEMOKRATIKE.

Shikojeni vetë si janë shpërfytyruar, sa kanë nisur me tërbim një fushatë të egër kundër nesh, që të kujton gjuetinë e nazistëve ndaj ebrenjve, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit.

Është e pashmbullt kjo që po ndodh, por ajo konfirmon gjithashtu se ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur.

E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj edhe janë kaq të acaruar.

Nuk ia vlen të merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë.

Sepse koha e tyre po skadon me shpejtësi. Është koha e BINDJES DEMOKRATIKE.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here