“Vendim i turpshëm”, Basha: Tahiri mban peng Ramën me dosjen e…

Mbrëmjen e sotme Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për akuzën “shpërdorim detyre” duke e dënuar atë me 5 vite burg. Por, me gjykim të shkurtuar ky dënim arrin në 3.4 vite burgim, ndërsa në konvertim sipas Gjykatës kthehet në shërbim prove 3 vite.

Lidhur me masën e dhënë ndaj Tahirit ka reaguar kreu i PD, Lulzim Basha, i cili e ka cilësuar këtë vendim si të turpshëm. Basha shprehet në reagimin e tij se dënimi ndaj Tahirit provon që drejtësia është nën ndikimin e kryeministrit Edi Rama dhe se ky i fundit është peng i grupeve kriminale.

Kryedemokrati deklaron gjithashtu se Tahiri mban peng Ramën me dosjet korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin, duke nisur me dosjen e kokainës së Xibrakës, ku sipas tij, është i përfshirë vëllai i Edi Ramës.

Reagimi i Bashës

Vendimi i turpshëm për të mos bërë drejtësi për krahun e djathtë të Edi Ramës, që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe e shndërroi atë në njollën e zezë të krimit në Europë, provon se drejtësia në Shqipëri është peng i Edi Ramës, dhe Edi Rama është peng i krimit.

Vendimi i sotëm konfirmon se Edi Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin, duke nisur me dosjen e kokainës së Xibrakës, ku është i përfshirë vëllai i Edi Ramës.

Përsa kohë Edi Rama është në krye të qeverisë, në Shqipëri nuk ka për të patur drejtësi, krimi dhe të pushtetshmit do të jenë të paprekshëm, Shqipëria do të mbetet peng i krimit dhe shqiptarët më të varfër e më të papunë.

Vetëm çlirimi i qeverisjes nga krimi do ti hapë rrugë drejtësisë së vërtetë dhe mirëqenies për të gjithë shqiptarët.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here